Isha një nënë shtëpiake. Për më shumë se trembëdhjetë vitë, kjo ishtë jeta ime dhe vërtet. 

Vënia këmbë jashtë zyrës time ditën e fundit të shtatzanisë, plasja e tollumbaceve, lulet dhe petullat më dhanë një ndjesi çlirimi. Të them të vërtetën nuk mendoja kurrë se do më merrte malli a do doja të kthehesha prapë në punë. 

Trembëdhjetë vite më vonë, roli im si mama nuk më mjaftonte. Bëja punë vullnetare në shkollë, por nuk më ndihmonte të mbushja boshllëkun. Fillova të vrapoja, por kjo nuk mund të ishte e gjitha. Vendosa të flas me tim shoq në lidhje me atë që po ndieja dhe kaloja. Po përpiqesha të kthjellohesha me veten, sepse e kisha të qartë rolin që kisha në shtëpi – në krye të çdo çështje që kishte të bënte me fëmijët, jetën sociale, gatimin, pastrimin, takimet si dhe kafshët shtëpiake. 

I kisha marrë përsipër tërë këto gjëra teksa rrija në shtëpi me fëmijët sepse im shoq ishte aq i zënë me drejtimin e biznesit të tij saqë nuk kishte kohë për asnjërën nga këto gjëra.

Mendoja sa mendoja dhe i bija të njëjtës vrimë,  Të rri këtu ku jam se jam mirë. Jam shumë me fat të mund të rri në shtëpi dhe të mos punoj. Në fund të fundit, kush do i bënte tërë këto nëse do kisha një punë?

Sot, jam një nënë që punon me orar të plotë nga shtëpia. 

Akoma nuk e kam shkëputur tërësisht veten nga ajo ndjesia e fajit për kalimin nga një nënë e disponueshme në një që cakton orar pune dhe afate.

M’u desh shumë punë për t’iu rikthyer lojës dhe kishte momente ku vërtet i thoja PO punëve jashtë kapacitetit tim. Për një kohë të gjatë vendosa të njëjtat pritshmëri ndaj vetes time në punë, si ndaj vetes si mama shtëpiake. U mundova kaq shumë t’i mbaja këta dy shalqinj nën një sqetull dhe mbyta veten.

Kjo mënyrë jetese nuk pinte ujë për mua dhe pa pikë diskutimi nuk bën as për fëmijët e mi. Sidomos në momentet kur shpërthej kundrejt tyre nga stresi i një mijë gjërave që kam marrë përsipër në punë.

Nicholas Hunt/Getty

Së fundi lexova një artikull në Elle, ku në kryefaqe ishte pikërisht Audie Cornish, bashkëdrejtuese e programit të lajmeve NPR, e cila po fliste për eksperiencën si mama – dhe kishte përmendur disa gjëra që vërtetë kisha nevojë t’i dëgjoja.

Cornish u bë nënë në një pikë të jetës, kur karriera e saj ishte stabilizuar. Ajo tregoi se njerëzit rreth saj ishin të parët t’i thonin se nuk do t’ia dilte të siguronte atë ekuilibrin e artë mes të qenit mama dhe grua në karrierë. Ajo thekson dëshirën e saj për të mos neglizhuar karrierën kur do bëhej mama.

“Gjithmonë i kam dashur këto gjëra, edhe atëherë kur nuk mund t’i arrija. Në njëfarë mënyre më futi në një krizë identiteti sepse nuk ndihesha gati të hiqja dorë nga ndonjë pjesë e jetës që kisha. Në asnjë mënyrë nuk doja të përçmoja fëmijën tim, por në momentin që kalon post-partum dhe në kokë të kalon lloj lloj mendimi depresiv, kjo është pikërisht një nga temat që të peshon në kraharor”, tha ajo.

Cornish theksoi gjithashtu se, kolegët e saj po ecnin përpara me karrierën e tyre, ndërsa ajo ishte në shtëpi me fëmijët e saj. Në këtë pikë duhet të ulte standardet e larta që kishte pasur në mendje dhe të përshtatej me realitetin që po jetonte në mënyrë që të arrinte të ishte sadopak produktive në punën e saj. Të merrej me çdo kanal të mundshëm të mediave sociale për promovimin e vet dhe ecurinë e karrierës nuk ishte karakteristikë e vyer e saj. “Në fund të ditës, më mjafton një gotë verë dhe pak qetësi nga fëmijët e mi. Nuk kam pse të shpërndahem në takime pune”, shprehet ajo.

Në momentin që bëhemi nëna, shumica prej nesh shtyhemi nga dëshira e madhe për t’u treguar të tjerëve dhe vetes gjithashtu, që kemi superfuqi dhe arrijmë t’i bëjmë të gjitha. Nga kjo ka dalë edhe ideologjia e “Supermamave” – nëna, të cilat përpiqen me shpirt të përballen me çdo përgjegjësi të mundshme në mënyrë që t’u dëshmojnë të gjithëve sesi të qenurit nëna nuk mundet dhe nuk do të arrijë t’i presë hovin. 

Po pse e bëjmë tërë këtë?

Për Cornish, kjo nuk ishte mënyra për ta jetuar jetën. Me angazhimin e tepërt kur u bë me fëmijë, ajo ishte aq e stresuar sa edhe flokët po i binin. “Po përpiqesha t’u tregoja të gjithëve, përfshirë vetes që ‘asgjë nuk ka ndryshuar’. Një këshillë për të gjithë; Mos e bëni këtë budallëk!”, thotë

Na ndodh pothuajse të gjithëve dhe teksa përpiqemi të qëndrojmë mbi ujë, humbasim veten tonë.

Nëse lodhesh kaq shumë për t’u vërtetuar të gjithëve që nuk ke nevojë për njeri, normalisht asnjeri nuk do përpiqet të të ndihmojë. Përkundrazi, do presin më shumë nga ti.

Përgjegjësia e nënës është të marrë vendimet e duhura për familjen, për veten, pavarësisht sesi duket kjo në sytë e të tjerëve. 

“Asnjeri nuk do ju pyesë nëse keni nevojë për ndihmë. Asnjeri nuk do ju pyesë nëse keni nevojë të ndaloni. Kur jeni shumë ambiciozë, e vetmja gjë që mund t’ju ndalojë është vetja juaj.”

Kur i mbuloni të gjitha vetë, njerëzit, sidomos shefat dhe kolegët, do mendojë që nuk ke nevojë për ndihmë dhe asnjëri nuk do të vijë t’ju thotë “Ej, ke marrë shumë gjëra përsipër. Më lejo të të ndihmoj me këtë.” Do pretendojnë që arrini ta përballoni. Duan që ju ta përballoni. Çfarë vjen pas kësaj? Lodhja dërrmuese, flokët që po të bien dhe dëshira për t’ia plasur në grusht personit të parë që të kërkon një gjë më shumë.

Duhet të ndalojmë së menduari që kjo është rruga e duhur për t’u vërtetuar të tjerëve që mëmësia nuk na ka ngadalësuar. Mëmësia ndryshon prioritetet tona dhe kjo nuk është e gabuar dhe nuk kemi pse të kërkojmë falje për këtë. Nëse edhe ti je një nënë që e ke gjetur veten mes kaosit për të mos humbur karrierën, ndihu e gatshme të thuash JO dhe të fokusohesh më shumë tek vetja. Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa shëndeti yt mendor – sepse kur nëna nuk është e lumtur, as të tjerët nuk janë.

Scarymommy