Artikulli u publikua në Revistën nr. 1 të Kallz. Drejtuesja e kopështit “Princi i Lumtur” ka ndërmarrë një nismë interesante. Projekti “Dyqani i Princit”, synon të mësojë fëmijët me përdorimin e parasë, prodhimin, të ardhurat dhe sipërmarrjen. Ne kemi zhvilluar një intervistë me Edlina Banon.

Së bashku me fëmijët  e kopshtit  tuaj “ Princi i Lumtur” keni startuar një projekt shumë të bukur. Keni hapur një dyqan të quajtur “dyqani i princit”. Kur ka nisur projekti juaj i dyqanit? 

Ky projekt ka nisur si një dëshirë e kahershme e imja dhe e drejtoreshës së kopshtit për të bërë një “mini- panair” nëpër rrugët e qytetit, ku tw shisnim produktet e përgatitura nga vetë fëmijët dhe të ishin ata vetë protagonistët që e menaxhonin situatën dhe të shpalosnin aftësitë e tyre në biznes. Këtë verë e vumë në zbatim, pasi për shkak të pandemisë, u bë e pamundur që të hapej “Panairi i fëmijëve” si zakonisht në 1 Qershor nga Bashkia”. Ndaj, një ditë të bukur fillim korriku hapëm stendën e “dyqanit të princit” ose ndryshe,  “dip” – stendë, e cila na i zbukuroi dhe freskoi ditët e nxehta të verës. Dyqani hapet çdo mëngjes në orën 7.30-9.30 dhe me paratë që “fitonin” kësaj radhe fëmijët nuk do t’i shpërndanin për familjet në nevojë- siç bënim përherë, por do të blinin akullore për veten e tyre. E thënë shkurt dhe thjesht: fëmijët në këtë mënyrë mësojnë se, “që të hash akullore duhet të punosh”. Ky është mësimi i parë që ata morën nga ky projekt. Por çdo ditë fëmijët bashkë me lideren e projektit nxjerrin konkluzionet e ditës. Ato janë interesante dhe të grupuara sipas datave, tregojnë edhe një pasqyrë të ngjarjeve ditore.  

2- Sa fëmijë përfshin projekti juaj?

Janë përfshirë të gjithë fëmijët e kopshtit pa përjashtim, përndryshe nuk do quhej “projekt” dhe nuk do kishte veti elektrizuese për të gjithë! Por, sipas grupmoshave është edhe kontributi apo mënyra e pjesëmarrjes. Pwr shembull, fëmijët e grupit të dytë (që quhen “Pemishte”) janë shitësit. Ata reklamojnë dhe shesin produktet tona. Në stendë qëndrojnë dy nga fëmijët e këtij grupi dhe ndërrohen “me turne” me njëri- tjetrin, derisa plotësohet i gjithë grupi. Fëmijët e grupit të tretë (përgatitorët), janë “ftuesit” apo “mikpritësit” – vetëm njëri prej tyre vishet si kloun dhe i fton që larg klientët me veprime gazmore. Edhe këta ndërrohen ditë për ditë duke ua lënë mundësinë të gjithëve ta bëjnë “ mikpritësin”. Ka pasur rast që dikush nuk ka pranuar ta bëjë rolin e klounit- tashmë ata janë të rritur dhe e vendosin vetë nëse e bëjnë apo jo diçka dhe kjo është totalisht në dorën e tyre! Fëmijët e tjerë “përgatitorë” mbajnë edhe evidencat e shitjeve dhe nxjerrin konkluzionet. Kurse fëmijët e grupeve të para të kopshtit  (ose ndryshe e grupeve “Fidanishte”) janë  pika kyçe dhe më e rëndësishme e të gjithë projektit- ata janë  “prodhuesit dhe furnizuesit e dyqanit “dip”. Së bashku me mësueset ata punojnë për të realizuar gjëra të mrekullueshme punuar me dorë dhe dashuri! E bukura është se që të gjithë fëmijët e dinë dhe e vlerësojnë rolin e tyre të sotëm, por ama e dinë shumë mirë edhe që vitin e ardhshëm ata “do rriten në përgjegjësi”. Pra, fëmijët e grupit të parë “Fidanishte” vitin e ardhshëm do jenë në stendë duke shitur, kurse “Pemishtet” e sotme mot do të mbajnë evidenca llogarish dhe nxjerrje konkluzionesh. E kështu me radhë! Pra, që në këtë moshë secili fëmijë e di “vendin” e tij, si dhe ku do jetë “nesër”. 

3- Si kanë reaguar prindërit ndaj nismës suaj dhe hapjes së dyqanit të princit? 

Dua t’ju them që prindërit janë treguar mbështetwsit tanë më të mëdhenj! Na kanë përkrahur dhe inkurajuar gjatë gjithë kohës! Kanë qenë miqësorë, kanë qenë “klientët” tanë më të mirë dhe më besnikë të dyqanit, kanë qënë ata që në rolin e spektatorit na kanë duartrokitur. Një nga konkluzionet që vetë fëmijët nxorën në projekt ishte që: “Më së shumti prindërit janë klientët më potencialë të dyqanit “dip”. Ne ua thamë këtë gjë prindërve dhe ata na mësuan edhe një tjetër gjë të re. Ata, duke qenë vetë në më të shumtën e rasteve sipërmarrës nëpër biznese, na thanë që edhe vetë ata me klientët e tyre lidheshin dhe bashkëpunonin!” Ja kështu, kësisoj, prindërit na mësuan dhe jo vetëm na përkrahën në këtë projekt! 

4- Keni pasur ndonjë gjë të ngjashme më parë?

 – Po! Kemi përvojë! Madje mund të them pa frikë që pikërisht nga përvojat tona të mëparëshme u nxitëm që të ndërmarrim dhe ta kthejmë në një projekt të mirëfilltë këtë! Më parë kemi qenë pjesëmarrës në panaire të tjera tek pedonalja e Tiranës, apo ku jemi thirrur! Ne kemi punuar dhe kemi përgatitur shumë produkte të këndshme me duart tona dhe në panair kemi patur shumë sukses! Më pas, kur shkuam të vizitonim Princin Leka dhe Princeshën Elia në Pallatin Mbretëror- u dhuruam edhe atyre nga sendet që i kishim përgatitur – princesha na nisi një mesazh falenderues, ku shprehu admirimin e saj për ato punime! Kështu, duke marrë shkas nga reagimet e mira që kemi patur, si edhe nga përvoja disavjeçare nëpër panaire, menduam të marrim këtë lloj ndërmarrje që në fakt i kaloi pritshmëritë tona përsa i përket kënaqësisë që na dhuroi në radhë të parë dhe përfitimeve të paharrurshme në fillesat e biznesit dhe sipërmarrjes në radhë të dytë. 

6- A keni ndërmend ta bëni përsëri, apo me kaq u mbyll? 

Kemi shumë dëshirë ta kthejmë në traditë! Njerëzit në fillim ishin skeptikë. Nuk ndalonin, nuk kthenin kokën. Zakonisht njerëzit e mërzitur as kuptonin se çfarë ju thonim! Mirëpo, duke na parë më pas, ditë për ditë rrotull rrugëve të lagjes, ata filluan të tregoheshin më miqësorë e më të afrueshëm. Zërat e ngrohtë të fëmijëve, pastërtia e tyre, gëzimi që ata bartnin sikur injektohej në ajër dhe ata ndikonin pozitivisht në ngritjen e moralit të të gjithë zonës! Pra, indirekt ne ndikuam në mirëqënien e lagjes së qytetit tonë! Atëherë pse të mos e bëjmë përsëri? Të japësh dashuri është gjëja më e bukur në Botë, të cilën nuk do refuzoja kurrë së bëri bashkë me fëmijët e kopshtit tim! Kështu që me plot gojën e them: “ Po, do e vazhdojmë!”

Disa nga konkluzionet ditë pas dite

Konkluzionet e fëmijëve: 

1- Djemtë ndryshojnë nga vajzat në tregti. Djemtë shohin rezultatin e fundit: “do blej Range Rover” do “mbush kupën plot me lekë”. Vajzat i kushtohen biznesit, më shumë sesa rezultatit. 

2. Njerëzit e mërzitur nuk bëjnë blerje. Ata të gëzuarit janë klientë më të mirë! 

3. Shitësit/shitëset e mërzitur/a nuk kanë sukses. Duhet të jemi të gëzuar që të na afrohen klientët. 

4. Jo çdo ditë mund të jetë “ditë me fat” në biznes. Ka edhe ditë mesatare apo ditë të këqija. 

5. Vendi ka shumë rëndësi në biznes. 

6. Klientët që na njohin bëjnë blerje. Por, klientet na thanë që edhe ata ashtu punojnë dhe nga klientët e tyre mbahen. 

7-E shtunë. Në fundjavë njerëzit shpenzojnë më shumë sepse e japing më shumë hapësirë argëtimit.

8. Fëmijët ndikojnë pozitivisht në ngritjen e moralit të njerëzve.

9. Kemi më shumë përfitime kur ndryshojmë skemën e shitjes- rezultoi shumë argëtuese dhe me fitime, kur vendosëm edhe lojë me zar tek dyqani.