Shkroi Nereida Llaha, psikologe [email protected]

Të gjithë ne jemi duke u përballur me një situatë të vështirë psiko-sociale për shkak të Covid-19, pandemi e cila ka përfshirë mbarë botën. Jemi izoluar në shtëpi, duke lënë mënjanë çdo aktivitet tjetër, përfshirë edhe punën. Ndryshimi i stilit të jetës nxjerr në pah praninë e shumë faktorëve stresantë, të brendshëm dhe të jashtëm. Pyetjet Sa? Kur? Si?  Pse? etj shoqërojnë çdonjërin nga ne. Frika nga e panjohura dhe nga ajo se çfarë do të ndodhë me ne, tani dhe pasi t’i rikthehemi normalitetit është normale për cilindo nga ne. Pasiguria mbi të ardhurat ekonomike, ka kapluar çdo qytetar. Mendimet negative janë të pashmangshme. Jemi të detyruar të qëndrojmë brenda për të mirën e përbashkët, të shoqërisë dhe të familjes.

Eksperiencat e mëparshme jetësore, të ngjashme me këtë që po kalojmë tani, kanë treguar se, të rriturit, por edhe fëmijët rrezikojnë të preken nga këto probleme si: pagjumësia, ankthi, shqetësimet emocionale, stresi, çrregullime të humorit, irritim, nervozizëm etj. Fëmijët nuk përjashtohen nga këto problematika, për shkak të qëndrimit në shtëpi dhe shkëputjes nga jeta shkollore. Në këto momente është e rëndësishme që prindërit të ruajnë gjakftohtësinë për t’u qëndruar pranë fëmijëve. Sigurisht kjo nuk është vetëm një fjalë goje, por ndërmarrje e një sërë masash paraprake, të cilat na mundësojnë të kemi në kontroll situatën brenda në shtëpi.

Jemi mësuar që ditën tonë ta kemi të mbushur me aktivitete të ndryshme. Punojmë, ushtrojmë pasionet tona, argëtohemi, bëjme plane e  ndërveprojme në shumë fusha te jetës. Pak javë më parë, e nesërmja varej nga ne, nga planet tona, nga jeta jashtë derës së shtëpisë. Sot jemi në situaten ku e gjitha ndodh brenda katër mureve. Deri para pak javësh, mundoheshin te ruanim pak kohë per argëtim në mënyre që të thyenim rutinën, ndërsa tani rutina është monotonija e ditëve në shtëpi. Më parë planifikonim punën mbi objektiva, sot po planifikojmë vakte të shëndetshme për familjet tona. Shtëpia ishte kthyer në vend pushimi mbrëmjeve, ndërsa tani është vend qëndrim 24 në 24. Pra, kemi ndryshuar kursin me 180 gradë, ndaj të gjitha përjetimet e frikës, ankthit, pasigurise, janë krejt normale.

Çfarë mund të bëjmë për të përballuar qëndrimin brenda në shtëpi?

Në një situatë që na gjeti të papërgatitur për distancimin social, nevojitet ndërmarrja e disa hapave jo vetëm për të përballuar zgjatjen në kohë, por edhe për të siguruar një shëndet të mirë mendor.

Le ta shfrytëzojmë këtë periudhë për t’u rigjeneruar, për të përmirësuar marrëdhëniet tona në familje, për të rekuperuar kohën e humbur me fëmijët, për të kujtuar se mbi të gjitha ka rëndësi që jemi mirë me shëndet dhe jemi bashkë. Për ditët e gjata të karantinës vlerësoj se :

Hapi i parë për t’u ndërmarrë është të flisni hapur, qartë dhe me sinqeritet rreth asaj që po ndodh me fëmijët. Kanë të drejtë të informohen. Sipas moshës së fëmijës i komunikohet edhe situata.

-Është shumë i rëndësishëm organizimi i ditës me aktivitet okupacional. Përfshirja e të gjithë pjestarëve të familjes në aktivitet, sidomos e fëmijëve, do ta mbushte kohën dhe do të bënte me kompakte familjet. Për shembull, përfshirja e fëmijëve në gatimet e ëmbëlsirave, kujdesi për lulet, ndarja e detyrave të shtëpisë, etj. Këto aktivitete nxisin aktivitetin mendor dhe motorik, duke përqëndruar fokusin larg situatës së epidemisë.

Ruajtja e orareve të mëparshme, përfshirë oraret e zgjimin, oraret e ngrënies, të studimit, të pushimit dhe argetimit. Kjo do të ndihmojë për t’u përshtatur më mirë me rikthimin e normalitetit të situatës.

Krijimi i hapsirave të vogla brenda shtëpisë, në të cilat të mund të përshtasni aktivitete që i kryenit më parë jashtë shtëpisë, për shembull improvizimi i një këndi sportiv nëse hapësira e shtëpisë e favorizon.

Lojërat argëtuese, si loja me letra, puzle, domino, shah, loja me pyetje, karaoke, pantonime. Gjej çfarë kanë në mendje etj, të organizohen në formën e një sfidë apo konkursi familjar. Të gjitha këto duhen përshtatur me moshën e fëmijës. Veçanërisht me adoleshentët, janë të nevojshme angazhimi fizik dhe nxitja e bisedave të gjera, pasi është një moshë që mund ta përjetojë më fort izolimin në shtëpi. Duke qenë se kjo moshë është e prirur drejt marrëdhënieve dhe përfshirjes sociale me bashkëmoshatarët, mund të nxisë edhe më shumë gjendje ankthi. Kjo shtohet nëse ato rrinë gjithë kohës në tëlefonë, apo pajisje. Nëse kjo e fundit ndodh, siguroni rreth faqeve dhe informacioneve që ato marrin.   

Aktivitetet e zhvilluara së bashku në familje, forcojnë besimin dhe reduktojnë stresin gjatë qëndrimit në shtëpi. Shfrytëzojeni kohën së bashku duke e menduar si një kohë pushimi me familjen, të cliruar nga oraret e punës, pa domosdoshmërinë e zgjimeve herët në mëngjes.

Një moment tjetër i vështirë është gjendja e ankthit që shumë prej nesh mund të përjetojnë. Nëse jeni duke përjetuar një episod ankthi, ku ndjeni vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës, pini një gotë me ujë, thithni ajër të pastër duke u mbushur thellë me frymë nëpërmjet hundës dhe nxirreni frymën përmes gojës. Përsëriteni disa herë, ndërkohë që i thoni vetes të mendoje TANI dhe KËTU, pra çfarë po ndodh në këtë moment, ku unë po qëndroj. Kontakti me siperfaqe ose ajër të ftohtë, do të ndihmojë në reagimin tuaj për të larguar ankthin.

Në këtë kohë izolimi mund të keni probleme me gjumin. Ajo çfarë mund të bëni për ta kapërcyer këtë problem si ju dhe fëmijët tuaj, është leximi i librave para gjumit. Një tjetër veprim që mund të bëni është të mbyllni sytë, të mbusheni me frymë thellë dhe te mendoni nje vend të dashur për ju ku ndiheni të sigurt dhe të mbrojtur, ku ju të ndjeni qetësinë. Ky vend mund të jetë real ose imagjinar. Në orët e vona kur gjumi vonon, freskoje mendjen me një udhëtim imagjinar. Je i lirë të rendësh ku të duash, madje edhe të fluturosh në vise të largëta, duke menduar që shumë shpejt kjo mbyllje në shtëpi do të përfundojë dhe do rifitojmë lirinë e privuar. Një forcë tjetër ndihmuese për një gjumë të qetë është edhe relaksimi i muskujve të qafës, të këmbëve, të duarve, shoqëruar me frymëmarrje të thellë diafragmatike.

Të gjitha sa më lartë, vlejnë për të përballuar sa më mirë situatën stresante të mbylljes në shtëpi, për të ruajtur qetësinë dhe kontrollin për veten dhe fëmijën tanë. Në këto kohë, është detyra jonë të jemi mburoje për ta. Duhet të qëndrojmë në shtëpi, për të rigjeneruar forcat të fitojmë sa më shpejtë lirinë e humbur. Nëse koha e qëndrimit brenda të duket e gjatë, mendoje veten se ti je kali i luftës, kalorësi i të cilit është plagosur, por ai nuk e ndal vrapin deri në kthimin në shtëpi.