https://www.scholastic.com/parents/family-life/social-emotional-learning/social-skills-for-kids/how-to-explain-scary-news-to-kids.html

Duke filluar nga aksidentet rrugore e deri tek gjuajtja me armë, situata të frikshme ndodhin çdo ditë. Mësoni se si t’i diskutoni me fëmijët, në mënyrë që t’i kuptojnë dhe të ndihen të sigurt. 



Të ndihmosh fëmijët të kuptojë ngjarje tragjike në jetën e vërtetë – dhe t’i mbështesësh emocionalisht në të njëjtën kohë – mund të jetë e vështirë. Qoftë një aksident në lagje apo diçka e largët fare, nuk ka një mënyrë të lehtë për ta diskutuar me fëmijën. Nëse një situatë është e vështirë që ti ta gëlltisësh, imagjino si do jetë për fëmijën tënd, i cili akoma nuk i ka zhvilluar mekanizmat apo perspektivën e nevojshme për ta përballuar. 

Mënyra më e mirë për të ndihmuar një fëmijë të përballet: 

Ji i sinqertë. Në fund të fundit, nuk mund ta mbrosh nga këto lloj lajmesh përgjithmonë. Nëse e nënvlerësoni situatën, ndryshoni temë apo përpiqeni të shtypni emocionet, imagjinata e fëmijës tuaj ka shumë gjasa të krijojë skenare edhe më të frikshme. 

Normalisht, nuk është e nevojshme të diskutojmë çdo detaj të sikletshëm të një situate të dhunshme. Duke qenë se fëmijët marrin spunto nga mënyra se si të rriturit diskutojnë apo reagojnë ndaj situatave duhet të përpiqemi t’i qëndrojmë sa më shumë një shpjegimi faktual. Një rregull i mirë treshi këtu do ishte edhe: sa më i vogël aq më i papjekur është fëmija, kështu që shpjegimi do thjeshtëzohet sa më shumë të jetë e mundur. Ne moshën tetë apo nëntë vjeçare sidoqoftë, fëmijët janë të aftë të përballojnë detaje të caktuara duke qenë se kanë një sens më të zhvilluar empatie dhe përthithje informacionesh komplekse. Thjesht përgatituni emocionalisht për pyetjet që do vijojnë t’ju vijnë edhe ditë të tëra pas ngjarjes së diskutuar.

Lexo: Prill-Maj: Aktivitete të përzgjedhura nga Kallz për fëmijët tuaj 

Nëse jeni të lënduar nga një ngjarje, është në rregull ta pranoni. Në fakt, duke treguar mënyrën se si e përjetoni diçka, do t’u jepni fëmijëve tuaj shtysë të shprehin ndjenjat që mund të kenë. Mos e lejoni frikën t’ju vërë përpara, pasi do të përfundoni duke alarmuar fëmijën. “Thjesht jepni një shpjegim të shkurtër të asaj që ka ndodhur, sugjeroni të flisni për këtë në një moment të dytë dhe prisni derisa të jeni në një gjendje më të kthjellët mendore për të vijuar diskutimin,” shprehen psikoterapistët. 

Tani që jeni përgatitur për bazat e këtyre bisedave të rëndësishme, hidhuni një sy këshillave të personalizuara sipas moshës së fëmijës. 

Fëmija dëgjon për një fatkeqësi natyrore. Pyetja që ju drejton është: A mund të ndodhë edhe këtu tek ne?

Për fëmijë të vegjël:

“Nuk do lejoj të të ndodhë gjë ty apo familjes tonë”.

Fëmijët më të vegjël nuk e përtypin dot rrezikun relativ apo probabilitetin. Ata thjesht duan të sigurohen që do t’i mbrosh. Ndaj, jepi konfirmimin që vërtet po kërkon. 

Për fëmijë mbi tetë vjeç:

Nuk mendoj se diçka e tillë do na ndodhë ndonjëherë neve. Ne kujdesemi për sigurin për familjen tonë dhe mësuesit kanë një të tillë në shkollë”.

Në këtë moshë fëmijët ndjekin udhëzimet bazike dhe ngushëllohen duke ditur se ekziston një procedurë e caktuar për çdo rast. Rrisni më shumë besimin duke e praktikuar atë procedurë.

Fëmijët më të rritur mund ta përballojnë me një segment të shkurtër lajmesh, “veçanërisht nëse jeni duke e parë së bashku. Ndaj, mund të diskutoni atë që fëmija pa”, thotë Dr. Best. Sidoqoftë, pasi ta kenë parë, fikeni televizorin. Kur fëmijët shohin ritransmetime të njëpasnjëshme, ata mund të mendojnë se ngjarja po ndodh prapë e prapë.

Pavarësisht të gjithave, thoni:

Kjo nuk ndodh këtu. “Edhe nëse situata e rëndë ka ndodhur gjysëm ore larg mund të thuash se ishte “diku tjetër”. Vendosja e distancës midis familjes suaj dhe situatës së frikshme do ta qetësojë mendjen e fëmijës tuaj. Nëse ai është pak më i rritur, me siguri po mëson gjeografi në shkollë. Në këtë rast mundohuni t’i shpjegoni në hartë se sa larg është vendodhja e ngjarjes nga shtëpia juaj. “Nxirrni një hartë ose kërkojeni edhe në internet dhe tregojini saktësisht se sa larg është ai vend”, sugjeron Robert Hilt, psikiatër në Spitalin e Fëmijëve të Seattle. “Televizori mund t’i bëjë edhe ngjarjet e largëta të duken të afërta, kështu që ky ushtrim mund të jetë ngushëllues.”

Vajza e vogël shikon foto të viktimave të luftës dhe pyet: Pse janë lënduar këta?

Për fëmijë të vegjël:

“Fatkeqësisht, shtetet herë pas here kanë mosmarrëveshje dhe nganjëherë kjo çon në luftë. Por, vendet e tjera përpiqen të gjejnë mënyra për t’i ndaluar në mënyrë që njerëzit të mos vijojnë të lëndohen”.

Ju mund t’i rikujtoni fëmijës tuaj se është më mirë t’i zgjidhni problemet duke folur – ashtu siç përpiqet të bëjë vetë fëmija kur nuk bie dakord me shokët – por kjo nuk është gjithmonë e mundur me disa kombe.

Për fëmijë mbi tetë vjeç:

“Kombet e tjera duan të ndalojnë luftën dhe mund të ndihmojnë duke dërguar ushtarë”.

Nëse fëmija juaj është i interesuar, ju mund të përshkruani arsyen e konfliktit, por mbajeni të shkurtër shpjegimin, duke shpjeguar, për shembull se ka të bëjë me territorin.

Pavarësisht të gjithave, thoni:

“Ka shumë kohë që nga lufta e fundit në vendin tonë, kështu që jemi të sigurt këtu”.

Nëse shohin fëmijë të lënduar, fëmijët mund të shqetësohen se lufta do të vijë tek shtëpia e tyre. Tregojuni se si asgjë e keqe nuk ka për të ndodhur dhe se ushtarët tanë po punojnë shumë për t’u siguruar që realiteti të qëndrojë ashtu, thotë Jamie M. Howard, Ph.D., nga Instituti për fëmijët në New York.

Kaloni pranë një aksidenti në autostradë. Fëmija ngre pyetjen: Çfarë i ndodhi makinës?

Për fëmijët e vegjël:

“E ke parasysh se si bie ndonjëherë nga biçikleta dhe përplasesh? Ndonjëherë edhe njerëzit përplasin makinat e tyre pa dashje”.

Ju do ta përshtasni situatën në mënyrë që një fëmijë i vogël të arrijë ta kuptojë në bazë të përvojave që deri më tani ka kaluar.

Për fëmijë mbi tetë vjeç:

“Ndonjëherë kur makinat nuk punojnë si duhet ndodhin aksidente. Por, herë të tjera ato ndodhin kur njerëzit ngasin shumë shpejt, apo dërgojnë mesazhe ndërkohë që janë në timon, pinë alkol apo substanca narkotike. Prandaj, unë nuk i bëj ato gjëra. E rëndësishmja është të ngisni me kujdes, t’i bindeni rregullave dhe ta mbani makinën në gjendje të mirë”. 

Kjo është një përgjigje e sinqertë dhe fillon të japë mësime të rëndësishme. Kjo gjithashtu do ta bëjë aksidentin të duket më pak i rastësishëm dhe të sigurojë fëmijën tuaj se ai është i mbrojtur mirë sepse ju jeni një shofer i ndërgjegjshëm.

Pavarësisht të gjithave, thoni:

“Të shpresojmë që të gjithë njerëzit në makinë të jenë mirë! Meqenëse atje ka tashmë një ambulancë / makinë policie, ne po vazhdojmë rrugën. Do jetë më mirë për të gjithë nëse nuk bllokojmë trafikun”.

Fëmijët ndonjëherë duan të dinë pse nuk po tërhiqeni dhe mund të supozojnë se do të thotë që nuk ju intereson. Shpjegoni pse është më mirë nëse nuk ndaleni.

scholastic.com