Empatia të çon drejt suksesit — në biznes, jetë si dhe zhvillim personal.

Duam shumë gjëra për fëmijët tanë: të jenë të lumtur dhe të suksesshëm, tia dalin me sukses në shkollë dhe të përgatiten më së miri për botën e ashpër. Kërkojmë që tia dalin të jenë shumë gjëra në jetën e tyre, prej të cilave asnjëra nuk ka më shumë rëndësi sesa të qenit një individ i sinqertë dhe dashamirës.

Mirësia ka një efekt të shumëfishtë – është kura për shumicën e të ligave që sot kanë kapluar botën. Dhe të qenit njeri i mirë dhe i dashur është thelbësore në zhvillim ndërpersonal. Mirësia dhe empatia janë veçori dalluese të liderave të suksesshëm.

Por, herë pas here mund ta kalojmë në plan të dytë apo edhe të harrojmë rëndësinë që ky element ka në edukimin e fëmijës.

Psikologu Richard Weissbourd i ka dedikuar vitet e tij pikërisht misionit të të rriturit të fëmijëve me një mendësi “të të kujdesurit për të tjerët si një e mirë e përbashkët”. Psikologu vuri re që 80% e fëmijëve shpreheshin se prindërit e tyre ishin shumë më të fokusuar tek arritja dhe suksesi që fëmija mund të arrinte sesa tek preokupimi për të tjerët.

Por përveç kësaj, fëmijët e intervistuar kishin tre herë më shumë gjasa të shpreheshin se “Prindërit e tyre janë më të lumtur nga rezultatet e mira në shkollë sesa nga kujdesi që tregojnë në lagje, klasë apo shkollë.”

Kudo ta gjeni veten për momentin, ka gjithmonë vend për të përmirësuar mënyrën sesi i perceptoni pikat thelbësore të ideologjisë së një individi dashamirës dhe puna kërkimore në mbështetjen tuaj nuk do ju mungojë ndonjëherë.

Kështu që çfarë mund të bëni ju si prind dhe mentor? Më poshtë do lexoni një ndërthurje të punës së psikologut ëeissbourd si dhe punës kërkimore me eksperiencën e duhur që rezultoi në këto pesë këshilla.

1. Mos e shprehni mirësinë thjesht si një shembull. Përvetësojeni si vlerë jetike.

Vlerat jane gjërat e vogla që bëjmë çdo ditë për të shëmëbllyer atë çka ne jemi. Gjurmët e vogla të përditshme që krijojnë një gjurmë të tërë të madhe. Nëse do ju kërkonim të hidhni në letër vlerat e vogla që ju bëjnë ju, a do mund ta bënit? Në studime të mëhershme është treguar që 75% e pjesëmarrësve mund ta bënin në më pak se dy minuta. 

Pyetja e vërtetë këtu është, a e gjeni mirësinë në ato vlera që ju veçojnë, a është një pikë e padiskutueshme e përditshmërisë tuaj? Përgjigja e kësaj shkon përtej dhënies së një shembulli të thjeshtë- kalon në kalitje karakteri.

2. Verbalizoni mirësinë si prioritet.

Weissbourd këshillon që në vend që t’i mësojmë fëmijët me idenë që, “Gjëja më e rëndësishme është të jetë i lumtur”, mësojini që “gjëja më e rëndësishme është të jenë të mirë me të tjerët”. E gjitha ka të bëjë me ekuilibrin e nevojave të vetë fëmijës me nevojat e të tjerëve përreth. Kjo kërkon një standard të lartë të etikës që doni t’i ushqeni fëmijës.

Para se fëmija juaj të vendosë të largohet nga skuadra e notit, basketbollit a pikturës, kërkojini të marrë parasysh detyrimet që ka kundrejt të tjerëve në skuadër. Një tjetër rekomandim rrënjësor i psikologut lidhet me reagimin që fëmija juaj ka ndaj të tjerëve në momentin që është i lodhur, i shpërqëndruar apo i zemëruar. Ushqeni reagime të karakterizuara nga respekti për tjetrin në çdo moment. 

3. Zgjeroni rrethin e interesit të fëmijës.

Çdo fëmijë ka një rreth fillestar shumë të ngushtë njerëzish për të cilët interesohet. Eshtë detyra jonë t’i ndihmojmë të zgjerojmë rrethin derisa të pvrfshijmë studentin e huaj që erdhi me program studimesh, fqinjin e moshuar apo njerëzit e pafat që kemi përreth.

Weissbourd thotë se fëmijët e kanë të nevojshme të shikojnë sa afër aq edhe larg. Me pak fjalë, të jenë të vëmendshëm ndaj grupit të njerëzve të afërt aq sa edhe ndaj panoramës së madhe dhe marrjes në konsideratë të asaj që të tjerët thonë apo kërkojnë- sidomos për grupet e cënuara apo ndryshe nga ata (në etnicitet, prejardhje, kulturë e me rradhë). Thelbësore këtu është edhe t’i mësojmë fëmijët të marrin në konsideratë mënyrën se si vendimet e tyre i ndikojnë të tjerët (si në rastin e largimit nga skuadra e sporteve)

4. Ndihmojini fëmijët të menaxhojnë emocionet destruktive dhe të shmangin sjelljen keqdashëse

Praktikimi i kësaj ideologjie është produktiv për ty si prind, gjithashtu. Zemërimi, xhelozia dhe emocione të tjera të ngjashme bëjnë këdo të sillet ndryshe nga mënyra si do donin, e sidomos fëmijët tejet të ndjeshëm.

Weissbourd thotë se fëmijët duhet t’i kenë të qarta tërë këto ndjenja dhe natyrshmërinë e tyre, por jo çdo mënyrë përballjeje me këto ndjenja është e drejtë. Ai jep këshilla të thjeshta me një kleçkë të vogël. Metoda e vjetër për menaxhimin e zemërimit funksionon — ndalo, pusho dhe merr frymë nga hunda, nxirre nga goja dhe numëro deri në pesë. Kleçka këtu është të mësoni fëmijën me këtë ide së pari– normalisht, jo në momentin që po shpërthejnë në nerva. Shumë prindër kanë parë sesi kjo qasje shmang një pjesë të madhe të zënkave.

5. Praktiko, praktiko, praktiko.

Përsëritja në përditshmëri është çelësi, siç është në formimin e çdo vesi. Ka një impakt veçanërisht të madh në momentin që fëmija mësohet të shprehë mirënjohjen. Weissboud shprehet se studimet tregojnë që individë që janë të mësuar të shprehin mirënjohje në mënyrë të përsëritur, ka shumë më shumë gjasa të jenë të gatshëm të ndihmojnë, të kenë zemër të madhe, dhembshuri, të dinë të falin dhe njëkohësisht të jenë të lumtur dhe të shëndetshëm.