Eksperienca është pasuria më e madhe e njeriut. Për çfarë do t’ju flasim sot nuk janë misionet në hapësirë. Po flasim për disa përvoja bazike, të përditshme për njerëzit e fshatit, tërësisht të panjohura për fëmijët që jetojnë në qytet.

Në kampin në fermë që zhvilluam të Shtunën fëmijët ishin kuriozë, por edhe të frikësuar, fiks si para një gjëje të pa provuar më parë. Krahas aktiviteteve që bëmë, më e veçanta ishte koha për eksplorimin dhe ndërverimin në fermë.

Punëtori na u afrua për të na thënë se mund të shkonim me të te stalla. Është koha për të mjelë dhitë. Edhe pse nuk e kishin provuar më parë (përjashtuar fëmijët që kanë qenë edhe vjet në kamp) të gjithë fëmijët u afruan tek stalla. E ndërsa disa guxuan dhe nisën të provojnë të nxjerrin qumësht, Dardani thotë, “unë nuk do ta bëj kurrë”. “Po qumështin që pi çdo ditë nga e merr ti Dardan? A nuk do ta dish nga vjen ky qumësht?!”. Kjo pyetje e nxiti atë dhe pas shokëve u përkul dhe ai të mjelë dhinë. 80% e fëmijëve kuptuan që temperatura e qumështit është gati e vakët.

Një përvojë e dytë e veçantë ishte sofra. Drekën e hëngrëm në sofër në një nga shtëpizat mbi liqenin e fermës së Hajdar Kuçit.

Pse çdo vit zgjedhim fermën, e pikërisht këtë fermë? Pse këtë vit është edhe më e domosdoshme të aktivizojmë fëmijët e të mbështesim agroturizmin?

Kjo është një pyetje të cilës dini t’i jepni përgjigje vetë. Ne po ju tregojmë pse ishte një gëzim i madh kampi i fëmijëve në fermë jo vetëm për fëmijët.

  1. Fëmijët; Noeli, është një nga djemtë që ka qenë në kampin e Kallz në fermë edhe vitin e kaluar. Ndërsa shkuam ta merrnim mëngjesin e së shtunës, mamaja na tregoi se nga emocionet ai nuk kishte fjetur gjatë natës. Në mendje i vinin përvojat e një viti më parë. Ky është një emocion që më shumë apo më pak, përfshin të gjithë fëmijët.
  2. Ferma e Hajdar Kuçit është një vend ku ndihesh si në shtëpi. I lirë për të shëtitur, për t’u ulur, për të këputur një domate, për t’u futur tek një nga hyrjet e shtëpisë. Pra ne ishim si në shtëpinë tonë. Nuk ishim turistë. Lindita, e zonja e shtëpisë na pyeti për Aronin, një nga djemtë që ishte vjet në kamp. Ndërkohë gjatë drekës u angazhuam edhe ne për të shtruar sofrën. Ky është pikërisht një nga momentet që ndihemi si në shtëpi. Por, fatkeqësisht, gjithë ajo fermë, me biodiversitet të pasur dhe të ndërtuar me fanatizëm nga Hajdar Kuçi, është gati bosh. Krahas nesh, buzë liqenit drekonte edhe një familje. Drejtuesi i fermës na thotë se ky është një vit i vështirë, ku njerëzit nuk lëvizin lehtësisht. Ferma frekuentohet shumë nga turistët e huaj, të cilët këtë vit nuk kanë ardhur për shkak të Covid dhe pengesave në qarkullim.
  3. Në kthim, gjatë bisedës me shoferin e furgonit, kuptojmë se ai nuk kishte punuar që nga muaji Mars, kur ishte mbyllur shkolla për të cilën transportonte fëmijë. Kështu, në fund të ditës patëm jo vetëm fëmijë të gëzuar me zbulimet e përvojat e tyre të planetit tokë :), por edhe të rritur, të cilët u ndjenë të vlefshëm me punën e tyre.

Për të gjithë këtë, falemindërit prindërve!