Artikulli u publikua më parë në Nr. I të Revistës KALLZ

Këtë vit të ri shkollor shumë pyetje qarkullojnë në mendjen tonë. Një vit i pazakontë mësimi, për të cilin duhet të organizohen fëmijë, mësues e prindër. Një vit kur, çdo ditë që do të shoqërojmë fëmijët në shkollë, do të kemi pasigurinë që na ka krijuar pandemia. Rreziku i infektimit. Kurrë më parë, përqafimi nuk ka qenë kaq i huaj për ne.

Në fakt, muajt e fundit prindërit kanë pasur qëndrime të ndryshme për vendimet e Ministrisë së Arsimit. A duhet të shkojnë fëmijët në shkollë? A mjafton mësimi online? A kemi kapacitete për të ndarë klasat në turne? Po në shkollat e mbingarkuara, të cilat janë tashmë me dy turne, si do t’i bëhet?

Mes gjithë këtyre pasigurive, qëndrimi më i mirë është ai i përshtatjes. Kujtoni pak ditën e nersërme të karantinës. Pas vendimit të menjëhershëm për mbyllje, mësues, fëmijë, e madje edhe ne prindërit u përshtatëm sa hap e mbyll sytë me këtë formë të re mësimi. A ishte perfekte? Sigurisht që jo. Por, ia arritëm të punojmë edhe në kushte të vështira, edhe në ato raste kur mësimi online as nuk ishte menduar nga mësuesi.

Mungesa e teknologjisë e bëri të pamundur mësimin, sidomos mes familjeve të varfra. Pikërisht fëmijët e këtyre familjeve nevojitet të jenë në qendër të vëmendjes. Kjo pandemi, nuk duhet kurrsesi të krijojë plagë të pashërueshme në edukimin tonë.

Ndaj sido që të jetë ky vit, i alternuar apo jo, nevojitet që institucionet të marrin vendime të drejta dhe të përgjegjshme, ndërsa të gjjithë ne të përshtatemi për mbarëvajtjen më të mirë. Le të bëjmë më të mirën çdo njëri prej nesh: prindi, fëmija, mësuesi, edukatorët, gjyshërit, programet pas shkolle, qendrat e kurseve. Ndarja e përgjegjësive dhe të ndjerit të gjithë të përgjegjshëm për kontributin tonë mund ta bëjë të mundur të kalojmë këtë periudhë. Nesër, do të mund t’u tregojmë më të vegjëlve, apo atyre që do të lindin gjithë përvojën tonë të pazakontë, dhe se si ia dolëm.