Nereida Llaha, psikologe

Në situatën e zgjatur të distancimit social, fëmijët kanë një risk të madh të mos përshtatjes si pasojë e mbylljes në shtëpi, e cila në shumë raste është shoqëruar me frikë, ankth dhe probleme me gjumin. Për të shmanguar apo për të kaluar këtë fazë, duhet që fëmija të strukturohet në aktivitete, duke ulur kështu edhe qëndrimin shumë orë përpara ekranit të telefonit apo tabletit.

 Si mund të arrihet kjo?

Dihet që loja ka një ndikim shumë pozitiv në zhvillimin e fëmijëve, mbi të gjitha në zhvillimin psikomotor dhe social duke cilësuar inteligjencën, bashkëpunimin, ndërveprimin, shkathtësinë, etj. Por loja ka një ndikim shumë të madh përsa i përket nxitjes dhe njohjes me emocionet e fëmijës ndër të cilat frika dhe ankthi. Në këto ditë të vështira është shumë e rëndësishme të kuptoni botën e brendshme, ndjenjat dhe emocionet e fëmijës rreth situatës së vështirë që po kalojmë. Loja me role ose aktrimi i një ngjarjeje, nxit fëmijët të menaxhojnë një sërë emocionesh. Kukullat ose personazhe të tjerë, mund të jenë shumë e vlefshme në situatat e ankthit ose kur ndien frikë. Fëmija e ka më të lehtë të shprehë ndjenjat dhe emocionet përmes një personazhi tjetër.

Shumë profesionistë përdorin Terapinë e artit dhe të Lojës për të kuptuar dhe zbuluar emocionet dhe ndjenjat e fëmijës. Por këtë gjë mund ta kryejnë edhe prindërit në shtëpi. Kjo nuk do të thotë që prindërit mund të kuptojnë nëse ka një problem te fëmija apo jo, por ata mund të ndihmojnë në krijimin e kushteve, apo nxitjes së lojës me role ose me personazhe. Fëmijët nuk arrijnë të shprehin emocionet me fjalë, nuk arrijnë t’i identifikojnë emocionet si psh ankth. Ata demostrojnë te prindërit vetëm ndjesinë e të ndjerit keq, pa rehati, pabindshmëri, nervozizëm, pagjumësi ose sjellje agresive si pasojë e emocioneve të pashprehura apo të pamenaxhuara.

Njihu edhe me: English&Fun-Kurs Anglisht Online Falas nga Kallz

Ndaj lutja ime për prindërit, është nxitja e fëmijëve në lojën me role dhe përfshirja e tyre në këtë lojë. Besoj që cdo fëmijë ka në shtëpinë e tij një tip koleksioni si lodrat e kuzhinës, fermën e kafshëve, një sërë kukullash apo makinash. Shfaqja teatrale  e arushëve prej lodre, (ose përdorni kukulla, marioneta, kafshë prej pellushi). Është momenti që t’i përdorim për të kuptuar gjendjen shpirtërore të fëmijëve. Bëni një vend sekret ( shtëpizë, shpellë, zyrë, dhomë për të parë yjet, etj) brenda ose jashtë. Siguroni një ccarccaf ose një perde, një copë të madhe kartoni ose një kuti. Një stol, një tavolinë të vogël, një mini sirtar e të tjera mjete që mendoni se mund t’ju duhen në lojën tuaj.

Komunikoni me ta. Tregohuni të vëmendshëm. Përqëndrohuni tek toni i zërit që fëmija përdor, tek fjalët dhe rrjedhshmëria e tyre. Sugjeroni. Mos u habisni nëse fëmija do të krijojë një histori rreth Coronavirusit, është mëse normale. Nxitini me ndonjë pyetje të shkurtër, si p.sh. si do të bëje ti? Si mund të ishte ndryshe? Po ti si ndjehesh? Po arushi yt si ndihet?  etj.

Fokusohuni te fëmijët. Shëndeti i tyre është mbi çdo gjë tjetër. Jepi fëmijës lirinë dhe mjedisin që i nevojitet për të luajtur dhe për të çliruar energjinë e tij. Le t’i lëmë pak mënjanë hapsirën, rregullat dhe të fokusohemi në përdorimin e çdo aseti në përballimin e kësaj situate.