Kur jeton një jetë dinamike, kushdo mundohet të gjejë rrugë të shkurtra drejt zgjidhjes së problemeve. E nganjëherë nuk arrijmë të vemë re numrin e rrugëve të shkurtra që marrim çdo ditë, sidomos kur vjen puna te rritja e fëmijëve.

Sa herë na ndodh të bëjmë një punë shtëpie që supozohej të bëhej nga vetë fëmija, vetëm e vetëm sepse kështu do të mbarojmë punë më shpejt (për të mos përmendur më lehtë) po ta bëjmë ne sesa të ulemi e të bindim fëmijën ta bëjë? Sa herë i veshim fëmijët vetëm nga ideja që ata janë më të ngadaltë e nuk kemi kohë a durim të presim?

Ashtu si me përditshmërinë tonë edhe me rritjen e fëmijës kemi tendencën t’i biem për shkurt. Ulemi, mendojmë e analizojmë mirë e mirë për ta, kur në fakt duhet të ulemi me ta dhe të mësojmë ata të mendojnë e analizojnë për veten e tyre. Gjatë kësaj faze vëmendja e prindit fle dhe zgjohet vetëm kur mbushet kupa me pyetje të bezdisshme, për të cilat prindi e di që fëmija e ka vetë përgjigjen, si në rastin e “O mami, ku e kam bluzën?” E njëjta gjë ndodh edhe në raste të tjera, kur i lejojmë të na shpërqëndrojnë në mes të situatave të ngatërrueshme: a ju ka ndodhur ndonjëherë të jeni në një telefonatë të rëndësishme dhe njëkohësisht të bombardoheni nga kërkesa e pyetje të vazhdueshme nga fëmija juaj?

Kur fëmijët fillojnë zënkat me njëri-tjetrin, prindërit priren të nguten të zgjidhin mosmarrëveshjet e fëmijëve thjesht duke i ndarë, duke i kërcënuar me dënime apo duke detyruar fëmijët t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit. Ajo që fëmijët mësojnë në këtë situatë është që të rriturit do t’ua zgjidhin problemet, zënkat para të rriturve duhen shmangur dhe se gjithçka që duhet të bëjnë për të “shlyer” gabimin është të thonë “më fal”.

Kur kemi të bëjmë me fëmijë që tregojnë se e kanë të nevojshëm kujdesin e vëmendjen tonë, ne priremi t’i udhëheqim më shumë se ç’duhet nga frika se po nuk e bëmë, ata do të ‘dalin nga shinat’.

Fëmijët që kalojnë situata stresuese apo edhe trauma, rrjedhimisht kanë një nivel të lartë shpërqendrimi dhe përqendrim të dobët. Detyrimisht, kjo na vë në pozita të tilla, ku shpesh duhet të japim udhëzime shumë të detajuara dhe udhëzime të qarta dhe të thjeshta. Por, nëse ne nuk kontribuojmë në krijimin e hapësirave, ku fëmija mund të marrë vendime pozitive vetë, ne po frenojmë progresin e tyre.

Pa pikën e diskutimit, përcaktimi i limiteve të lirisë që i japim fëmijës është punë e rëndë për prindin, e sidomos në rastet ku fëmija shfaq sjellje problematike. Mundohuni t’i shtyni këta fëmijë përpara me sfida të thjeshta për t’i detyruar ata të mendojnë.

Duke i marrë ne vendimet për llogari të fëmijës, duke i zgjidhur të gjitha konfliktet ne, në vend të vetë fëmijës, duke u kontrolluar çdo lëvizje të përditshme, ne përfundojmë t’i privojmë fëmijët nga përgjegjësitë që duhet të zhvillojnë vetë, me moshën. Kur një prind e ndjek këtë metodë për një periudhë të gjatë kohore, me kalimin e kohës e gjen veten të bllokuar nga një fëmijë adoleshent (ose më i madh) i cili është jashtëzakonisht i varur tek prindi për të funksionuar.

Nuk ka asgjë të gabuar në zgjedhjen e rrugëve të shkurtra, por nuk mund ta bëjmë gjatë gjithë kohës kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve! Duke i zgjidhur të gjitha problemet e fëmijës dhe duke marrë të gjitha vendimet e tyre për ta, ne i privojmë ata nga përvojat e vlefshme të të nxënit që u nevojiten për tu maturuar.

Të mësoni se si të ndaloni së menduari në vend të fëmijës tuaj gjatë gjithë kohës nuk është e vështirë për t’u bërë, do vetëm praktikë dhe të mësoni ca teknika të reja. Ajo që ju duhet është një ide e përgjithshme mbi informacionin e përshtatshëm për moshën e fëmijës, të gjeni mënyrën për t’i komunikuar logjikën e zgjidhjes e më pas të distancoheni pak për t’i lënë të zgjedhin rrugën e tyre.