Fëmijët e kanë mirëpritur qëndrimin në shtëpi. Duhet ta pranojmë se sidomos të vegjlit, në kopësht, parashkollor, apo edhe klasat e para po u gëzohen prindërve në shtëpi e po kalojnë së bashku më shumë orë se kurrë. Jo vetëm. Gatimet së bashku janë një tjetër aventurë për fëmijët. Mes shumë familjeve që kemi pyetur, fëmijët e të cilëve frekuentonin programin pas shkolle dhe kurset tek Kallz, kjo po ndodh. Urojmë realisht që çdo fëmijë të jetë në këto rrethana, me prindër të qetë, pasi e ardhmja do të jetë patjetër e bukur. Shpresa është që asnjë fëmije të mos i mungojë dashuria dhe të mirat në tavolinë.

Ndërkohë, për më shumë argëtim kanë menduar edhe shumë personalitete në fushën e arsimit, kulturës, personazhe që i duan fëmijët. Ne po ju sjellim disa prej tyre, të cilët ju prindër mund t’i gjeni në rrjetet sociale dhe t’ua tregoni fëmijëve për t’i ndjekur.

Arjeta Dhima, ventrilokuistja e vetme në Shqipëri, aktore themeuese e iAct është prezantuar në një cikël videosh të këndshme, jo vetëm për fëmijët. Arjeta bashkë me Sindin dhe xha Telin u prezantuan në një takim të përditshëm. Një bisedë ndërvepruese, ku personazhet tregonin se si po i kalonin ditët duke na dhënë edhe neve disa këshilla.

Ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, nisi një cikël leximesh me titullin “Lexoj për ty”. Tema dhe personazhe të shumta vijnë përmes leximit të Kumbaros. Qëndrimi i saj është se bibliotekat duhet të jenë të hapura ashtu si edhe furrat e bukës.

Edi Gogu, një dashamirëse e fëmijëve, që në ditët e para të karantinës, postoi në rrjetet e saj sociale këshilla se çfarë mund të bëjnë fëmijët në shtëpi për t’u argëtuar, për të mësuar më shumë dhe për të kaluar kohën e lirë. Punimet e dorës, punët kreative janë një burim i pashtërshëm. Edi propozon vazhdimisht edhe gatime, ushqime e pije të shëndetshme për fëmijë e të rritur.

Suela Bala, mike e fëmijëve dhe e Kallz, ka lexuar për fëmijët disa nga kryeveprat e autorëve vendas dhe të huaj. Suela, tani kryeredaktore e shtëpisë Botuese UET Press, mori këte vit çmimin e Filantropisë nga Partnerët Shqipëri për bibliotekën e lëvizshme që krijoi në rajonin e Lezhës. Përmes saj, fëmijët në fshatrat më të thella arritën të bëhen lexues të rregullt të bibliotekës.

Kallz, ndërkohë është në kontakt me fëmijët përmes punimeve të tyre. “Unë dal me fantazi”, është motoja që shoqëron të gjitha punimet që fëmijët e qendrës, dhe jo vetëm, na dërgojnë. Punimet e tyrë kanë të gjitha dimensionet e mudshme, det, tokë, hapësirë. Kreativiteti nuk njeh kufij tek fëmijët. Aron Sulisufi është vetëm në klasë të dytë. I apasinuar pas teknologjisë ai krijoi një video promovuese për Kallz.

Foto kryesore e këtij artikulli është vizatimi i Anës gjatë kanartinës. Ajo është në klasë të dytë.