Hey Dav,

Nesër është dita jote e parë e shkollës. Po ashtu për mijëra fëmijë.

Është momenti kur prindi i delegon disa kompetenca edukimi mësueses/it. E bën shumë mirë se vetë nuk ia del. Aq nuk ia del, sa lëmshi që është në grykë nëse po të edukon mirë, nëse po të bën të fortë për këtë botë ku dëmi mund të të vijë nga kushdo, ashtu si edhe e mira ama, nuk ikka kurrë. Edhe për vëllain sot adoleshent, mamaja ka të njëjtin lëmsh.

Për t’ju rritur ju më mirë e shumë fëmijë të miqve të vjetër e sot shumë të tjerë të rinj, vendosa të kishte një strehë pak më të madhe se sa shtëpia. Quhet Kallz dhe është në përpjekje të lehtësojë sado pak barrën e prindërve në edukimin e rritjen e shëndetshme të fëmijës.

Druaj se ende nuk ia ka dalë plotësisht, ndoshta nuk do t’ia dalë kurrë ta qetësojë nënën a babain, që edhe pse e ka regjistruar fëmijën në shkollë private, ende duhet ta sistemojë atë për disa orë të tjera pasdite deri në mbarim të punës.

Për shkak të një tranzicioni dhimbshëm të tejzgjatur, e vëmendjes në politikën që nuk gjen zgjidhje, arsimi (fara më e rëndësishme për një zhvillim ekonomik afatgjatë) është ende duke u eksperimentuar. Vëllai yt nisi frengjisht e pak eci në këtë drejtim. Klasa të tjera gjermanisht dhe po ecin jashtë…

Hej Dav,

Ti je djalë i zgjuar, por kjo nuk do të thotë që unë duhet të jem e qetë. Këtë zgjuarsi duhet ta nxjerr në sipërfaqë, ta forcoj, e ta kthej në vlera për ty, për familjen e shoqërinë, me ndihmën e mësuesit, e me shpresa, edhe me ndihmën e shoqërisë.

Shkollat tona dhe në mbarë botën në fakt, ende kanë mbetur tradicionale. Rregullat e të mësuarit do t’i kesh njësoj si unë mbi 30 vite më parë , ndërsa tani që po shkruaj, ti je me IPad në dorë, me një botë të tërë brenda tij, që unë as nuk e imagjinoja.

Do të ishte mrekulli që mësuesja jotë dhe e të gjithë bashkëmoshatarëve të tu, të ishte sa më mendjehapur, të ketë forcën e durimin të të shohë si një potencial për t’u zhvilluar e jo si një fëmijë i pabindur që ia bën ditën të vështirë.

Më shumë se një fletë me A të shkruara saktë, uroj të të mësojë të duash familjen, shokun në krah, të respektosh të moshuarit, t’i japësh dorën kujt ka nevojë. Nesër kur të rritesh, të duash gruan e fëmijët. Të kalosh kohë më ta e të jesh burim energjie. Të marrësh përgjegjësi.

Jam e bindur se njerëzit e suksesshëm sot janë ata që jetën e bëjnë të thjeshtë. Ata që festojnë ende ditelindjen me kushërinjtë, tortën mund ta bëjë mamaja, në market blejnë produkte në ofertë, nuk shpërdorojnë e shpenzojnë pa kriter (një sfidë e madhe në këtë epokë konsumizmi), ata që e ndihmojnë komshiun nëse është vetëm, apo i pamundur për të lëvizur.

E shikon Dav! Edhe pse në një ekonomi pa zhvillim të madh, jemi prekur nga efektet e një botë moderne. Por kjo vlen edhe për mirë.  Ke po aq mundësi të jesh pjesë e një kompanie ndërkombëtare nëse bëhesh i mirë në fushën që do.

Pra sfidat janë, por edhe mundësitë. Për te kaluar shëndetshëm këto sfida e për të arritur deri tek mundësitë, të kërkoj të duash veten, e të besosh shumë tek ajo. Ajo të mban në këmbë, ajo të rrëzon. Unë jam në këtë sfidë, e shumë të tjerë që më rrethojnë, edhe pse të rritur. Nëse duam veten do të mund të duam edhe të tjerët.