Është periudha më e bukur e vitit, por edhe më e ngarkuara. Prindërit kanë më shumë punë dhe fëmijët më shumë pushime. Duke mos pasur shumë kohë dhe mundësi për të ndenjur shumë me fëmijët, dhe duke u përpjekur që t’u ofroni atyre mundësi argëtimi dhe për të ndenjur pranë të gjithë si familje, në këtë artikull ju sjellim disa nga vendet dhe aktivitetet ku mund të kaloni kohë së bashku.


Latitude

Latitude është nje super park ajror i brendshëm i kompletuar me trampolina, zonën e ngjitjes dhe lojëra ajrore për t’i shtuar sa më shumë aventurë dhe adrenalinë aktiviteteve tuaja të kohës së lirë.

Aty do të gjeni arena dodgeball (topadjegësi) basketball, trampolinë për kërcim të lirë, ato profesioniste për të apasionuarit e hedhjeve, rrjetin e ninxhave për entuziastët e parkut, pistat e ngjitjes dhe lojërat ajrore që do ju bëjnë të fluturoni.

Një vëmendje e veçantë është kushtuar dhe për fëmijët e vegjël nën 5 vjeç me zonën e tyre të dedikuar për të luajtur.

Gjithashtu në Latitute janë zonat ku mund të festoni ditëlindjet e fëmijëve, të mbushur me miq dhe argëtim pa limit, për një eksperiencë të paharrueshme.

Këtu mund të gjeni çdo gjë që dëshironi në një paketë të plotë festive.

Parku i Aventurave në Dajt (Dajti Adventure Park)

Dajti Adventure Park ndodhet vetëm pak minuta larg kompleksit Dajti Ekspres dhe është parku i parë i realizuar në Shqipëri. Vendosur në zemër të malit të Dajtit dhe duke shfrytëzuar habitatin natyror, Parku i Aventurave është një eksperiencë emocionuese me aktivitete dhe kurse të ndryshme që i përshtatet të gjithë grupmoshave. Ju duhet patjetër të bëni një udhëtim me teleferik për në Malin e Dajtit. Aty mund të shijoni një drekë të shijshme, si dhe fëmijët tuaj të shkojnë të luajnë në Parkun e Aventurave të Dajtit. Ky park është për të gjitha grupmoshat, ku ka lojëra të ndryshme si për fëmijët ashtu edhe të rriturit.

Sheshi Skënderbej

Kjo periudhë e vitit e gjen Sheshin Skënderbej të zbukuruar dhe me shtëpizat e drurit, si dhe me lodrat e ndryshme ku mund të kaloni një kohë të këndshme dhe argëtuese me fëmijët tuaj. Fëmijëve do t’ju pëlqejë një xhiro në karuselin e famshëm që ndodhet aty, të luajnë me lojërat me makina apo edhe lojërat më me adrenalinë për fëmijët më të rritur.

Parku i Madh i Tiranës (Liqeni Artificial)

Parku i Madh në Tiranë tek Liqeni Artificial është vendi ideal ku mund të kaloni pak kohë argëtuese dhe të bukur me fëmijët tuaj. Zona ka gjelbërim dhe është e aksesueshme nga kushdo që do të shijojë ajrin e pastër dhe qetësinë. Këtu ju mund të merrni me qera biçikleta, qoftë familjare apo individuale, me të cilat mund të shëtisni përqark liqenit. Gjithashtu në këndin më të madh të lojërave fëmijët të grupmoshave të ndryshme mund të argëtohen duke luajtur.