Këtu do të përmbledhim disa nga gabimet më të shpeshta që prindërit bëjnë në menaxhimin e adoleshentëve si dhe mënyrat që mund të përdorim për t’i shmangur.

Fëmija yt nuk është më i vogël. Eshtë adoleshent tashmë. Ky është momenti për të përshtatur metodat e prindërimit që përdorje deri më tani. Po, e dimë se si ndiheni! Tani janë shumë më nevrikë, më të lodhur e të lodhshëm se një vit më parë. Të shtohen në listën e problematikave pëlqimet e reja që do kenë dhe emocionet, në të cilat pa dashur do përfshihesh, patenta, ata shokët që të çojnë flokët përpjetë herë pas here.

Nuk e vemë në diskutim: Adoleshenti apo pre-adoleshenti yt i vogël ka për të testuar çdo limit, çdo parim dhe durimin e vërtetë do e njohësh tani. Por, në fund të ditës, është fëmija yt. E megjithëse nuk do duan ta pranojnë, ka nevojë për ty!

Sekreti fshihet në dallimin e përpjekjeve të suksesshme kundrejt atyre që mund të të kthehen mbrapsht.

1. Prit më të keqen

Adoleshenca mbart një konotacion që anon nga negativja. Shumica e prindërve e shikojnë fazën e adoleshencës së fëmijës së tyre si një barrë që i duhet ta mbajnë për sa të zgjasë dhe nisen me mendimin që nuk u mbetet gjë për të bërë veçse të dëshmojnë transformimin e fëmijës së tyre të dashur plot jetë, në një përbindësh të paparashikueshëm.

Është pikërisht kjo pikëpamje që ju vë si ju dhe fëmijët tuaj në pozita të pakëndshme për disa vite.

Mesazhi që u komunikojmë adoleshentëve pasqyrohet në kaq pak fjalë; ata janë të ‘mirë’ për aq kohë sa nuk bëjnë gjëra të ‘këqija’ si përdorimi i drogës, shoqërimi me njerëzit e gabuar apo kryerja e marrëdhënieve seksuale.

Kjo mund të kthehet në një profeci të vërtetë vetëpërmbushëse: Pritshmëritë negative na çojnë drejt sjelljes, të cilës i frikohemi më shumë. Pra, ne projektojmë në realitetin tonë atë që vërtetë besojmë që do ndodhë. Puna kërkimore e disa universiteteve ka treguar që adoleshentët, prindërit e të cilëve prisnin që këta të fundit të përfshiheshin në situata të rrezikshme, vërtetë janë përfshirë në këto lloj situatash një vit më vonë.

Këshilla e ekspertëve është: Përfshihuni në interesat dhe hobit edhe nëse nuk i kuptoni ato tërësisht. Kjo mund të shërbejë si një rrugë e re komunikimi, t’ju japë mundësinë të lidheni me fëmijën brenda adoleshentit që keni përballë dhe të mësoni një gjë të re në lidhje me të.

2. Leximi i tepërt i librave mbi prindërimin

Në vend që thjesht t’u besojnë instikteve të tyre, shumë prindër sillen nga këshillat e jashtme të ekspertëve për të menaxhuar rritjen e adoleshentëve. “Prindërit e ngatërrojnë veten keq fare duke u përpjekur të ndjekin këshillat e lexuara tek librat.

Nuk është puna se librat e prindërimit janë të këqinj.

Librat kthehen në një problem kur prindërit i përdorin në vend të instikteve të lindura. Nëse rekomandimet e dhëna dhe stili i tyre i jetesës nuk përputhen, prindërit tentojnë të zhyten në ankth dhe humbasin edhe atë pak vetëbesim që më parë kishin mbi prindërimin.

Përdorini librat për të kuptuar më shumë kur sjellja e fëmijëve tuaj është përshtjelluese dhe pastaj mbylleni atë libër dhe besojeni se ç’ka duhej të mësonit e keni mësuar. Qartësohuni mbi atë që vërtet ju duhet ju dhe familjes tuaj. 

3. Anashkalimi i vogëlsirave

Mbase nuk ju pëlqen ajo që vajza juaj adoleshente ka bërë me flokët apo veshjet e saj. Apo, ndoshta fëmijët nuk arritën të marrin atë rolin që meritonin tek shfaqja e shkollës.

Para se të ndërhyni, shikoni panoramën e plotë.

Nëse situata nuk e vë fëmijën tuaj në rrezik, lejojini fëmijës të marrë vendimet e veta dhe të mësojë të përballet me pasojat e zgjedhjeve të veta.

Shumë prindër mundohen që fëmija të mos kalojë zhgënjime, dhimbje apo dështime. Sidoqoftë, nëse mundoheni ta mbroni fëmijën nga realiteti, do t’i hiqni mundësinë për të nxjerrë mësime të vyera.

Sigurisht, ju do të jeni aty për t’i udhëzuar dhe mbështetur dhe prapë, në fund të ditës, prindi je ti.  Por, sfidojeni veten për të hedhur një hap mbrapa dhe të vini fëmijën në dijeni të faktit që jeni aty për çdo nevoje të tij.

4. Nënvlerësimi i problemeve të mëdha

Nëse keni dyshimin më të vogël që fëmija juaj mund të jetë duke përdorur alkol apo drogë, mos e ktheni kokën mënjanë. Edhe nëse është thjeshtë alkol apo marihuanë, – ose edhe nëse thjesht të kujton rininë tënde – duhet të veprosh menjëherë, përpara se të kthehet në një problem të vërtetë.

Kushtojuni vëmendje ndryshimeve në sjelljen, pamjes, performancës akademike dhe zgjedhjes së shokëve të adoleshentit tuaj. Mbani parasysh faktin që, sot nuk janë vetëm drogërat e mirëfillta të hapura për abuzim – ilaçet me recetë dhe madje edhe mjekimet për kollën apo ilaçe të tjera që mund të mbajmë për përdorim vetjak mund të marrin një rol të tillë.

Nëse gjeni paketime ilaçesh në koshin e dhomës së fëmijës tuaj apo ju dalin shishe me ilaçe mangut nga kabineti i ilaçeve, apo edhe nëse thjesht gjeni hapa të pazakonshëm, letra a shkrepëse, mbani një sy hapur nga mundësia që fëmija juaj mund të jetë në fakt duke i përdorur.

Merrini seriozisht këto shenja dhe përfshihuni. Kontrolloni të gjitha ilaçet që keni: Njihni mirë produktet që keni në shtëpi, sasinë që secili paketim ka si dhe efektet që japin në rastin e një përdorimi të gabuar.

5. Më shumë se ç’duhet, më pak se ç’duhet, disiplinë

Ka prindër, të cilët në rastin që ndihen që po humbasin kontrollin mbi sjelljen e adoleshentëve të tyre, kanë tendencën ta humbasin toruan sa herë që fëmija del nga shinat. Shumë të tjerë, mundohen të shmangin konfliktin nga frika që do e shtyjnë fëmijën edhe më larg.

Nuk ke pse të jesh asnjëri nga këta stereotipe. Tërë ideja ka të bëjë me gjetjen e një ekuilibri mes bindjes dhe lirisë.

Nëse e vë theksin tek bindja, mund të jesh i aftë ta detyrosh adoleshentin tënd të të bindet – por çfarë kostoje ka kjo? Adoleshentët e rritur në një atmosferë strikte humbasin mundësinë për të formësuar aftësi në zgjidhjen e problemeve dhe lidership – sepse ju po merrni çdo vendim për ta.

Nga ana tjetër, mungesa totale e disiplinës nuk është se ju ndihmon aq më pak. Një adoleshent ka nevojë për një strukturë të qartë dhe rregulla të cilat duhet të ndjekin teksa eksplorojnë botën jashtë shtëpisë.

Si prind, është detyra jote t’i bësh të qarta vlerat thelbësore që familja ka dhe t’i komunikosh përmes fjalëve dhe veprimeve të tua. Kjo do të thotë të jesh një prind autoritar, një qasje që i ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi në sajdisjen e vetes në mënyrat e duhura.

Mbani parasysh, ndikimi juaj prek shumë më thellë nga sa mund të mendoni ju. Shumica e adoleshentëve në fakt, kanë nevojë dhe dëshirë të kalojnë kohë me prindërit e tyre. Përpiquni ta gjeni gjithmonë kohën, sidomos përgjatë viteve të adoleshencës. Edhe kur mund të mos ju duket si e tillë, ju jeni ‘fari’ që i duhet kur çdo gjë bëhet e zymtë dhe e vështirë për t’u përballuar.

WEBMD