Artikulli i publikua në nr.1 të Revistës Kallz

Që nga sulmet fizike deri te ngacmimet verbale, mësoni të identifikoni shenjat e katër llojeve më të shpeshta të bullizmit, për t’i ardhur në ndihmë fëmijës tuaj.

Bullizmi njihet si sjellje e ligë dhe me synim lëndimin e tjetrit. Ai haset vazhdimisht në marrëdhënie, ku influenca dhe fuqia janë në nivel pabarazie mes individëve. Manifestohet në forma të ndryshme – verbale, fizike, shoqërore dhe kibernetike. Pavarësisht emancipimit të shkollave në përballjen me bullizmin, prindërit janë ata që vërtetë mundësojnë fuqizimin e fëmijëve dhe parandalimin e këtij fenomeni.

Më poshtë do të gjeni disa këshilla për katër llojet më të shpeshta të fenomenit të bullizmit.

Bullizmi verbal është ai, që me anë të të folurit përfshin përdorimin e nofkave ofenduese, kërcënimeve verbale, komenteve negative e sharjeve rreth karakteristikave të dikujt (pamjes, besimit fetar, etnicitetit, aftësive të kufizuara, orientimit seksual, e me radhë).

Shembull: Kur një fëmijë i drejtohet një fëmije tjetër duke i thënë: “Ti je shumë, po shumë i shëndoshë, ashtu si edhe mamaja jote”.

Si t’i dallojmë shenjat?

Fëmijët mund të ndrydhen në vetvete, të tregojnë shenja irritimi apo t’u pritet oreksi. Mund t’ju tregojnë diçka të pakëndshme që u është thënë dhe t’ju pyesin nëse edhe ju mendoni si ata.

Çfarë të bëjmë? 

Fillimisht, mësojeni fëmijën tuaj me konceptin e respektit. Me anë të sjelljes suaj, përforconi idealet e sjelljes së duhur kundrejt të gjithëve – falënderojini mësuesit, përshëndetini miqtë, tregohuni të sjellshëm me punonjësit e ambienteve që frekuentoni. Fokusohuni te rëndësia e respektimit të vetes dhe ndihmojeni fëmijën tuaj të vlerësojë te vetja pikat e tij të forta.

“Mbrojtja më e mirë që prindërit mund t’u ofrojnë fëmijëve është pikërisht, fuqizimi i vetëbesimit dhe ndjesisë së të qenët i pavarur të fëmijës në vetvete, duke e mësuar atë të ngrejë zërin aty ku duhet”, shprehet Shane Jimerson, psikolog shkolle dhe profesor pranë Universitetit të Kalifornisë. Diskutoni dhe praktikoni mënyra të sigurta dhe konstruktive që fëmija juaj mund të përdorë në momentin që ndeshet me një bullues. Bashkëbisedoni në lidhje me shprehje kyçe që mund të përdoren kundrejt individëve të tillë, si dhe tonin që fëmija duhet të përdorë në momentin që vendos të thotë gjëra të tipit: Po tregohesh i pasjellshëm, më lër të qetë ose m’u largo!

Bullizmi fizik është bullizmi që rezulton në intimidim të fëmijës me anë të agresivitetit fizik, si: goditje, shkelmime, stërkëmbësha, shtytje si dhe prekje në mënyra të padëshiruara dhe të papërshtatshme.

Shembull:  Një fëmije i ulin pantallonat ndërkohë që po luan në pushimin e drekës.

Si t’i dallojmë shenjat?

Shumë fëmijë nuk hapen me prindin në lidhje me atë që ka ndodhur, kështu që ju takon të jeni vigjilentë për të dalluar shenjat. Shikoni për shenja të mundshme, si të prera të pashpjegueshme, të gërvishtura dhe të nxira, rroba të humbura apo të dëmtuara, ankesa të shpeshta për dhimbje koke apo stomaku.

Çfarë të bëjmë?

Nëse dyshoni se fëmija juaj bullizohet fizikisht, mundohuni të hapni biseda rastësore – mund t’i pyesni për shkollën, si ia kanë kaluar gjatë pushimit të drekës, fizkulturës apo si ishte rruga për në shtëpi. Mundohuni të kontrolloni emocionet që shfaqni. Flisni për rëndësinë e komunikimit të hapur, të vazhdueshëm si me ju ashtu edhe në shkollë, me mësuesit apo psikologun.

Lexo: Tre fëmijë dhe një karrierë të suksesshme

Tregohuni të kujdesshëm në lidhje me dokumentimin e datave dhe të herëve që keni vënë re shenja të bullizmit, reagimet e njerëzve të përfshirë, si dhe veprimet që janë ndërmarrë, sidomos nga këta të fundit. Në mënyrë kategorike, mos kontaktoni me mujsharin apo prindin e këtij të fundit, me synimin për t’i zgjidhur gjërat vetë. Nëse vëreni që fëmija juaj vijon të tregojë shenja të lëndimeve fizike dhe keni nevojë për ndihmë që tejkalon kompetencat e institucionit të shkollës, kontaktoni forcat e rendit. Tashmë ka ligje të mirëfillta kundër bullizmit, të cilat ju ndihmojnë të merrni ndihmën e nevojshme.

Bullizmi shoqëror njihet ndryshe si bullizmi me anë të taktikave të përjashtimit. Ai përfshin moslejimin e qëllimshëm të dikujt për t’u bërë apo për të qenë pjesë e një grupi shoqëror, duke e distancuar këtë të fundit, si nga grupet sportive, aktivitetet e ndryshme apo edhe thjesht përjashtimin nga tavolina e drekës.

Shembull:  Një grup vajzash në kursin e kërcimit flasin dhe i tregojnë njëra-tjetrës, foto të fundjavës që kaluan bashkë, duke e trajtuar fëmijën që nuk ishte ftuar, si të padukshëm.

Si t’i dallojmë shenjat?

Mund të dalloni ndryshime në humor, distancim nga grupet shoqërore të moshatarëve dhe një dëshirë të rritur për të qëndruar vetëm. Vajzat janë më të prirura të përjetojnë përjashtim shoqëror dhe intimidim emocional. Dhimbja që ndiejnë është aq e madhe, sa ajo që ndihet nga bullizmi fizik dhe shpeshherë, zgjat edhe më shumë.

Çfarë të bëjmë?

“Krijoni një rutinë të përnatshme, ku komunikoni me fëmijën për ecurinë e ditës”, sugjeron Jennifer Cannon, terapiste familjare në Kaliforni. Ndihmojini të gjejnë gjëra që i bëjnë të lumtur, vendosni theksin te cilësitë e tyre pozitive dhe sigurohuni që fëmijët të kujtojnë që kanë njerëz që i duan dhe mendojnë për ta. Përqëndrohuni në ecurinë e talenteve dhe interesave të tyre, si në fushën e muzikës, arteve, atletikës, leximit apo edhe aktiviteteve passhkollore, në mënyrë që fëmija të krijojë marrëdhënie jashtë rrethit shkollor.

Bullizmi kibernetik ose bullizmi në rrjete sociale. Ai ka të bëjë pikërisht me të përfolurit rreth dikujt, duke përdorur këtu shpifjet apo përhapjen e thashethemeve të pavërteta nëpërmjet mesazheve, e-maileve apo postimeve. Mesazhet seksiste, raciste apo edhe homofobike krijojnë një atmosferë jo mikpritëse për fëmijën tuaj, edhe në qoftë se nuk i janë drejtuar vetë fëmijës.

Shembull:  Një postim i tipit: “Adriani është një dështak me brirë. Nuk i kuptoj ata që vazhdojnë të rrinë me të. Ai është kaq gej.”

Si t’i dallojmë shenjat?

Mundohuni të zbuloni nëse fëmija juaj po kalon më shumë kohë në rrjetet sociale, sesa zakonisht (duke parë faqe online apo duke komunikuar me mesazhe), por tregon shenja mërzitjeje apo ankthi më vonë. Edhe pse fëmija mund të jetë duke lexuar gjëra të dhimbshme në kompjuterin, tabletën apo celularin që i keni dhënë, kjo mund të jetë e vetmja qasje sociale që ka. Shenja të tjera që mund të kapni janë edhe problemet me gjumin, dëshira për të mos shkuar në shkollë apo distancimi nga aktivitetet që më parë i kishte me qejf.

Çfarë të bëjmë?

Mesazhet dashakeqe marrin jetë shumë shpejt, lehtësisht dhe përshkallëzojnë në bullizëm kibernetik të vazhdueshëm, të përditshëm. Ndaj filloni me hapin e parë: vendosni rregulla për përdorimin e sigurt të internetit në shtëpi. Gjeni një kompromis në lidhje me përdorimin e përshtatshëm sipas moshës. Njihni faqet, aplikacionet dhe pajisjet digjitale që konsiderohen si kontigjent i bullizmit kibernetik, para se t’i jepni fëmijës akses në to. Vijeni fëmijën në dijeni të faktit, që ju do të jeni duke i monitoruar aktivitetin virtual. Këshillojini se në rastin që e gjejnë veten në një mjedis ku ka bullizëm, të mos përfshihen, të mos përgjigjen apo ta shpërndajnë.

Përkundrazi, në këto raste duhet t’ju vënë në dijeni dhe, në këtë mënyrë, keni mundësinë të printoni mesazhet ofenduese, duke përfshirë datën dhe emrin e personit që i ka nisur. Vini shkollën dhe shërbimin e klientit të rrjetit social të përdorur, në dijeni të rastit specifik të bullizmit. Nëse bullizmi kibernetik përshkallëzon në kërcënime dhe mesazhe ngacmuese, ju lind e drejta të kontaktoni forcat e rendit.

Nëse fëmija vendos t’ju hapet për bullizmin që mund të ketë përjetuar ai vetë apo dikush që ai njeh, tregohuni mbështetës, lavdërojeni për kurajon që tregoi duke ju thënë dhe mundohuni të mësoni sa më shumë në lidhje me situatën (pa u acaruar apo ngritur akuza). Theksoni ndryshimin mes të qenët një spiun i vogël që hap probleme dhe rëndësisë së të folurit me një të rritur që mund të ndihmojë.

Gjithmonë merrni masa kur hasni bullizëm, sidomos në rastin që bëhet i rëndë apo i vazhdueshëm, duke kontaktuar mësuesin e fëmijës apo drejtorin e shkollës. Në këtë mënyrë situata do të monitorohet pa lënë mundësi për përshkallëzim negativ.

Shkroi: Suzanne Peck, parents.com

Përktheu: Jerina Radovani